SPF: Llojet e Ndryshme dhe Si t’i Përdorësh Siç Duhet

SPF: Llojet e Ndryshme dhe Si t’i Përdorësh Siç Duhet

Hej, mirëseerdhe😊!

Të dyja ne e dimë që dielli është i mrekullueshëm por kur vjen puna tek lëkura jonë, ai mund të jetë pak problematik nëse nuk mbrohemi siç duhet.

Sot dua të flasim për një temë shumë të rëndësishme: mbrojtësit SPF. 

Do të shpjegoj çfarë është, cilat janë llojet dhe si ta përdorësh për ta mbajtur lëkurën tënde të mbrojtur dhe të shëndetshme.

Çfarë është SPF?

SPF është një shkurtim për "Sun Protection Factor" dhe tregon se sa mirë një krem dielli mund të mbrojë lëkurën tënde nga rrezet UV – ato që shkaktojnë djegie nga dielli dhe ndikojnë në kancerin e lëkurës.

Numri pas SPF tregon për sa kohë mund të qëndrosh në diell pa u djegur, krahasuar me kohën që do të duhej nëse nuk do të kishe përdorur krem dielli. 

UVA dhe UVB: Çfarë Duhet të Dish?

Rrezet UVB

Rrezet UVB janë ato që shkaktojnë djegie nga dielli dhe prekin kryesisht shtresat e sipërme të lëkurës. Kur shikon numrin e SPF-në një krem, ai të tregon sa mbrojtje ofron kundër këtyre rrezeve.

Rrezet UVA

Rrezet UVA depërtojnë më thellë në lëkurë dhe janë përgjegjëse për plakjen e lëkurës dhe rritjen e rrezikut për kancer të lëkurës.

Për të mbrojtur lëkurën tënde plotësisht, duhet të zgjedhësh produkte që ofrojnë "spektër të gjerë" mbrojtjeje, që të mbrojnë si nga rrezet UVA, ashtu edhe nga ato UVB.

Llojet e SPF: Cili Është i Duhuri për Ty?

SPF 15

Ky lloj mbron kundër rreth 93% të rrezeve UVB dhe është i mirë për përdorim të përditshëm, veçanërisht nëse nuk planifikon të qëndrosh gjatë në diell.

SPF 30

SPF 30 mbron kundër rreth 97% të rrezeve UVB. Ky është një opsion i shkëlqyer për aktivitete të përditshme jashtë, si shëtitjet ose punët e përditshme.

SPF 50

SPF 50 mbron kundër rreth 98% të rrezeve UVB. Ky është lloji që duhet të përdorësh kur planifikon të kalosh shumë kohë jashtë, si në plazh apo gjatë aktiviteteve sportive.

SPF Mbi 50

Kremrat me SPF mbi 50 ofrojnë mbrojtje më të lartë, por kujdes: asnjë krem dielli nuk mund të ofrojë mbrojtje 100%. Ky lloj SPF është i përshtatshëm për lëkurë shumë të ndjeshme ose kur je në kushte ekstreme diellore.

SPF Kimik dhe Mineral: Cila Është Diferenca?

SPF Kimik

Kremrat diellorë me bazë kimike përmbajnë përbërës që absorbojnë rrezet UV dhe i shndërrojnë ato në nxehtësi, e cila më pas lirohet nga lëkura. Përbërës të zakonshëm përfshijnë avobenzonë, oksibenzonë dhe octinoxate.

Këto kremra janë të lehta në teksturë dhe shumë të përshtatshme për përdorim të përditshëm, sidomos nën grim.

SPF Mineral

SPF-të me bazë minerale përmbajnë përbërës fizikë si oksidi i zinkut dhe dioksidi i titanit që reflektojnë rrezet UV larg nga lëkura.

Janë më të mira për lëkurat e ndjeshme, pasi janë më pak irritues. Mund të lënë një shtresë të bardhë në lëkurë, por janë shumë efekas dhe të sigurt për të gjitha llojet e lëkurës.

Si të Përdorësh SPF-në si duhet?

1. Apliko Mjaftueshëm

Shumica e njerëzve nuk përdorin mjaftueshëm krem dielli. Për të mbrojtur plotësisht lëkurën, duhet të përdorësh rreth një lugë çaji krem për fytyrën dhe një gotë të vogël rakie (:P) për trupin.

2. Vendos Kremin Para Daljes në Diell

Është e rëndësishme të aplikosh kremin diellor të paktën 15-30 minuta para se të dalësh jashtë. Kjo kohë i lejon kremit të përthithet në lëkurë dhe të fillojë të mbrojë nga rrezet UV.

3. Ripërtërije Rregullisht

SPF-ja duhet të ripërtëritet çdo dy orë, sidomos pas notit, djersitjes ose fshirjes me peshqir. Në këtë mënyrë, lëkura jote do të jetë e mbrojtur gjatë gjithë kohës.

4. Mos Harro Asnjë Pjesë të Trupit

Kur vendos krem dielli, është e lehtë të harrosh disa pjesë të trupit si veshët, qafën, këmbët dhe duart. Sigurohu që t'i mbrosh edhe këto zona, pasi janë po aq të ndjeshme ndaj diellit sa edhe pjesët e tjera.

5. Zgjidh Formulën që Të Përshtatet

Krem, sprej, xhel, apo locion – ka shumë opsione në treg. Zgjidh atë që të përshtatet më mirë me lëkurën dhe stilin tënd të jetesës.

Shihemi tek faqja e radhës.

Deri atëherë, kujdesu për veten! ❤️

Kthehu tek Ditari