Lëkurë e yndyrshme? Këtu i tregohet vendi atij vaji !!!

Lëkurë e yndyrshme? Këtu i tregohet vendi atij vaji !!!

Përbërësit aktivë që i bëjnë derman vajit dhe rutina ideale për ty

Përshëndetjeeee, si je sot? 😊

Të solli këtu ai vaji i padurueshëm që ke në fytyrë apo jo?

Kam përgatitur për ty përbërësit aktivë që do të ndihmojnë të mos dukesh sikur do skuqësh petulla me gjithë atë vaj si edhe rutinën ideale për t’i treguar vendin yndyrës dhe të shkëlqesh për arsyet e duhura.

Nga sot e tutje mos kërko më emrin e firmës apo të produktit por kërko këta përbërës aktivë në produktet që do zgjedhësh të përdorësh:

1.Niacinamide (Vitamina B3)

Pse? Sepse ekuilibron prodhimin e yndyrës, ul skuqjen, minimizon poret dhe përmirëson teksturën e lëkurës. 

Si ta përdorësh? Serume ose kremra me 2-5% niacinamide, mëngjes dhe mbrëmje.

2.Acidi Salicilik

Pse? Sepse pastron poret në thellësi, heq yndyrën e tepërt dhe papastërtitë, parandalon aknet. 

Si ta përdorësh?  Larës me acid salicilik ose trajtime lokale 2-3 herë në javë.

3.Acidi Glikolik

Pse? Sepse eksfolion shtresën sipërfaqësore të lëkurës dhe rigjeneron qelizat për të të dhënë një lëkurë të njëtrajtshëme dhe të shndritshëme.  

Si ta përdorësh? Tonik ose serum me acid glikolik, filloni me 1-2 herë në javë, në mbrëmje.

4.Oksidi i Zinkut

Pse? Sepse jep mbrojtje me spektër të gjerë nga rrezet UVA/UVB dhe ndihmon në balancimin e yndyrës. 

Si ta përdorësh? Zgjidh një krem dielli me oksid zinku, aplikoje çdo mëngjes dhe çdo dy orë gjatë ditës.

5.Tea Tree Oil

Pse? Sepse ka veti antibakteriale dhe anti-inflamatore, redukton bakteret që shkaktojnë aknet. 

Si ta përdorësh? Përdore lokalisht në zonat që ke nevojë ose përdor produkte që e kanë në përbërje.

6.Retinoidët (Retinoli, Retinaldehid)

Pse? Sepse pastrojnë dhe lëmojnë poret e bllokuara, përmirësojnë rigjenerimin e qelizave, ndihmojnë në reduktimin e akneve, vijave të holla e plot benefite të tjera.

Si ta përdorësh? Fillo me serum me përqëndrim të ulët retinoli, 2-3 herë në javë dhe rite frekuencën gradualisht me hapin e përshtatjes së lëkurës tënde.

7.Peroksidi i Benzolit

Pse? Sepse është efikas kundër baktereve që shkaktojnë akne dhe ndihmon në uljen e yndyrës së tepërt. 

Si ta përdorësh?  Me përqëndrime të ulëta (2.5-5%) në zonat me akne.

8.Ekstrakti i Çajit të Gjelbër

Pse? Sepse është i pasur me antioksidantë që mbrojnë nga dëmet mjedisore dhe reduktojnë inflamacionin. 

Si ta përdorësh? Tonik, serum ose kremra që përmbajnë ekstrakt çaji të gjelbër.

9.Argjila

Pse? Sepse largon yndyrën e tepërt dhe pastron poret pa e tharë shumë lëkurën 

Si ta përdorësh? Maskë me argjilë 1-2 herë në javë.

10.Acidi Azelaik

Pse? Sepse redukton skuqjen dhe kontrollon shpërthimin e akneve, përmirëson pamjen dhe teksturën e lëkurës. 

Si ta përdorësh? Produkte me 10-20% acid azelaik, kryesisht në mbrëmje.

11.Acidi Hialuronik

Pse? Sepse hidraton pa bllokuar poret, ruan lagështinë dhe barrierën e shëndetshme të lëkurës. 

Si ta përdorësh? Serum ose krem hidratues jo vajor, jo komedogjenik, mëngjes dhe mbrëmje. 

Rutina ideale për ty

Më poshtë do të gjesh rutinën që do ishte IDEALE por ti ndjehu e lirë të zgjedhësh ata hapa që i duhen patjetër lëkurës tënde.

Pastaj, nëse ke kohë dhe mundësi ti bësh të gjitha, jepiii !!!!

Kjo rutinë është krijuar për të balancuar yndyrën dhe për të ruajtur hidratimin.

Ajo do të mbrojë njëkohësisht lëkurën nga dielli dhe ndotësit mjedisorë.

Për çdo hap, po të tregoj pse është i rëndësishëm dhe cilët janë përbërësit kryesorë që duhet të kërkosh në produktet e tua. 

NË MËNGJES

1.Pastrues i Butë Jo agresiv 

Pse duhet bërë?  Sepse pastrimi i lëkurës do të largojë papastërtitë e grumbulluara gjatë natës dhe yndyrën e tepërt, duke përgatitur lëkurën për hapat e tjerë. 

Përbërësit aktivë: Kërkoni pastrues me acide beta-hidroksi(BHA) si acidi salicilik për të pastruar poret dhe kontrolluar yndyrën, ose me glicerinë për hidratim të butë pa tharje. 

Larës për ty Pore Refine Cleanser

Si ta përdorësh? Masazhoje në lëkurë të lagur dhe shpëlaje me ujë të vakët.

2.Tonik Matifikues

 Pse duhet bërë? Sepse ndihmon në rivendosjen e pH-it të lëkurës pas pastrimit dhe ndihmon në mbylljen e poreve për të parandaluar shfaqjen e akneve. 

Përbërësit aktivë:  Zgjidhni tonikë që përmbajnë niacinamide për të rregulluar prodhimin e yndyrës dhe për të minimizuar poret.

Si ta përdorësh? Aplikoje me pambuk ose me duar direkt në lëkurë.

3.Serum me Antioksidantë

Pse duhet bërë? Sepse mbron lëkurën nga dëmtimet mjedisore dhe radikalet e lira që shkaktojnë plakje të parakohshme dhe dëmtime të tjera. 

Përbërësit aktivë: Vitamina C dhe Acidi Ferulik janë antioksidantë të fuqishëm që ndihmojnë në neutralizimin e radikalëve të lirë dhe përmirësimin e shkëlqimit të lëkurës. 

Serum për ty Brightening Vitamine C ose Blemish Control

Si ta përdorësh? Apliko disa pika në gjithë fytyrën dhe masazhoje butësisht.

4.Hidratues i Lehtë

Pse duhet bërë? Sepse hidratuesit me teksturë të lehtë ndihmojnë në mbajtjen e lagështisë së lëkurës pa bllokuar poret, duke ruajtur balancën natyrale të yndyrës. 

Përbërësit aktivë: Kërko hidratues pa përmbajtje vajore, me Acid hialuronik për hidratim dhe Ceramide për të forcuar barrierën e lëkurës. 

Hidratues jo-vajor për ty  Krem Xhel Hydro Cloud

Si ta përdorësh? Aplikoje në fytyrë dhe qafë pas serumit.

5.Krem Dielli

Pse duhet bërë? Sepse mbrojtja nga dielli është thelbësore për të parandaluar dëmtimet nga rrezet UV, të cilat mund të shkaktojnë njolla të errëta, plakje të parakohshme, dhe kancer të lëkurës. 

Përbërësit aktive:  Zgjidhni një krem dielli me oksid zinku ose dioksid titani për mbrojtje me spektër të gjerë pa bllokuar poret.

Krem dielli për ty Daily Sunscreen ose City Guard   

Si ta përdorësh? Aplikoje në të gjithë fytyrën, çdo ditë, 15 minuta para ekspozimit në diell dhe çdo dy orë gjatë ditës.

NË MBRËMJE

1.Pastrim i Dyfishtë

 Pse duhet bërë? Sepse heq make-up-in, kremin e diellit dhe papastërtitë më të thella që mund të bllokojnë poret dhe të shkaktojnë akne. 

Përbërësit aktivë: Filloni me një vaj pastrues ose balsam që përmban vaj ulliri ose vaj argani për të shpërbërë papastërtitë, pastaj ndiqni me pastruesin e mëngjesit. 

Si ta përdorësh? Apliko vajin në lëkurë të thatë, pastaj pastruesin e mëngjesit në lëkurë të lagur.

2.Eksfoliues

 Pse duhet bërë? Sepse heq qelizat e vdekura të lëkurës dhe ndihmon në përmirësimin e teksturës së saj, parandalon bllokimin e poreve. 

Përbërësit aktivë: Acidi glikolik (AHA) ose Acidi salicilik(BHA) për eksfolim të butë kimik që mban poret të pastra. 

Si ta përdorësh?  Masazhoje mbi lëkurë të pastër, shmang zonën rreth syve.

3.Serum Trajtues

Pse duhet bërë? Sepse trajtojnë shqetësime specifike si aknet, vijat e holla, njollat, pikat e zeza, tekstura e pabarabartë, etj.

Përbërësit aktivë: Retinoli për përmirësimin e rigjenerimit të qelizave dhe Acidi azelaik për trajtimin e akneve dhe hiperpigmentimit.

Serum për ty Serumi Retinol Reboot 

Si ta përdorësh? Fillo me përdorim 2-3 herë në javë dhe shto përdorimin gradualisht.

4.Hidratues për natën

 Pse duhet bërë? Për të ushqyer dhe rigjeneruar lëkurën gjatë gjumit. 

Përbërësit aktivë: Hidratues me peptide për rigjenerimin e kolagjenit dhe niacinamide për qetësimin e lëkurës. 

Krem nate për ty Peptides Reload First Wrinkles

Si ta përdorësh?  Aplikoje mbas serumit dhe masazhoje derisa të përthithet.

5.Maskë Argjile

Pse duhet bërë? Sepse pastron thellësisht poret dhe thith yndyrën e tepërt pa tharje të tepruar. 

Përbërësit aktivë: Kaolin ose Bentonit për të pastruar dhe matifikuar lëkurën. 

Maskë për ty Maska Pastruese Radiance

Si ta përdorësh? Aplikoje në të gjithë fytyrën, prit derisa të thahet dhe shpëlaje me ujë të vakët, me një peshqir të lagur ose me furça eksfoliuese për fytyrë.

Etapa shtesë:

- Spray Hidratues:  Përdore për të freskuar dhe hidratuar lëkurën gjatë ditës. 

 Përbërësit aktivë: Uji i trëndafilit ose Acidi hialuronik.

- Trajtim Lokal për Akne: Mos i shtrydh puçrrat, trajtoji tek e tek kur ato shfaqen me Blemish Dots

Përbërësit aktivë: Peroksidi i benzolit ose Tea Tree Oil

Me këta përbërës aktivë në produktet që do të zgjedhësh të përdorësh dhe me këtë rutinë të plotë do të mundesh të menaxhosh yndyrën, të parandalosh aknet, të kesh një lëkurë të shëndetshme dhe të shkëlqesh jo nga yndyra por nga lumturia!  

Kujdesu për veten bukuroshe!

Të përqafoj!

 

 

Kthehu tek Ditari