Mite të Përhapura për Mbrojtjen nga Dielli

Mite të Përhapura për Mbrojtjen nga Dielli

Cilët janë të vërtetë dhe cilët të gabuar?

1.Kremi mbrojtës duhet përdorur vetëm në plazh

    E GABUAR!

    Rrezet e dëmshme të diellit UVA dhe UVB janë të pranishme 365 ditë të vitit dhe kremi duhet përdorur në çdo stinë.

    Gjatë stinëve të tjera mund të zgjedhim një krem mbrojtës me SPF më të ulët se gjatë verës por përdorimi i tij është i domosdoshëm gjatë gjithë vitit.

    2.Kremin mbrojtës duhet ta përdorim çdo ditë, pavarësisht ku jemi

    E VËRTETË!

    Rrezet UV janë gjithmonë aty, pavarësisht nëse është koha e hapur apo me re, nëse bie shi apo dëborë.

    3.Një aplikim në mëngjes është i mjaftueshëm

      E GABUAR!

      Efekti mbrojtës i kremit me SPF nuk i tejkalon 2 orët ndaj duhet ripërtëritur çdo dy orë, dhe menjëherë mbasi ke notuar ose ke djersitur dhe mbrojësi është hequr nga prania e ujit.

      4.Lëkura e errët nuk ka nevojë për mbrojtje nga dielli 

      E GABUAR!

      Çdo lëkurë ka nevojë për mbrojtje, pavarësisht ngjyrës. Rrezet UV nuk diskriminojnë.

      5.Kremi mbrojtës bllokon plotësisht rrezet UV

      E GABUAR!

      Ende nuk është krijuar një krem që të ofron mbrojtje 100%. Prandaj, përdor edhe metoda të tjera si veshjet dhe qëndrimi në hije për t’u mbrojtur nga rrezet UV.

      6.Përdorimi i SPF pengon marrjen e Vitaminës D

      E GABUAR!

      Kremi që pengon rrezet UV në masën 100% nuk ekziston ende.

      Ç’ka do të thotë se pavarësisht kremit që do të përdorni, një pjesë e rrezeve do të depërtojnë gjithsesi në lëkurën tuaj dhe nëpërmjet tyre do të mund të sintetizoni Vitamiën D.

      7.Mbrojtësi SPF krijon alergji 

      E VËRTETË!

      Disa tipologji lëkure, kryesisht ato të ndjeshmet mund të zhvillojnë alergji ndaj SPF. Alergjia nuk shkaktohet nga kremi mbrojtës në vetvete por nga një ose disa përbërës specifikë që mund të ndodhen në përbërjën e kremit.

      Mjafton të identifikosh nga cilët përbërës je alergjik dhe të kërkosh një krem mbrojtës i cili nuk i përmban ata në formulimin e tij.

      8.Kanceri i lëkurës shkaktohet vetëm nga ekspozimi në diell

      E GABUAR!

      Dielli është vetëm një ndër faktorët që mund të shkaktojnë kancer në lëkurë. 

      9.Nuk kam nevoje për krem mbrojtës mbasi jam nxirë 

      E GABUAR!

      Një lëkurë e nxirë është një barrierë shumë e hollë mbrojtjeje ndaj djegies së lëkurës në sipërfaqe por ajo nuk është kurrsesi e mjaftueshme për t’ju mbrojtur nga dëmet e rrezeve që depërtojnë në shtresat e poshtme të lëkurës.

      10.Skuqja nga dielli kthehet gjithmonë në nxirje

       E GABUAR!

      Njerëzit që i përkasin fototipit 1 të lëkurës ( lëkura shumë e bardhë, p.sh. vendet nordike) përgjithësisht kanë skuqje por e kanë shumë të vështirë të nxihen.

      11.Kremi mbrojtës me SPF të lartë shmang nxirjen 

      E GABUAR!

      Asnjë krem nuk mbron 100%. Për më tepër nxirja e lëkurës ka të bëjë edhe me gjenet dhe sasinë e melaninës që trupi ynë prodhon.

      12.Vajërat me SPF mbrojnë njësoj si kremi

       E VËRTETË!

      Mbrojtja nuk bëhet nga tekstura si krem apo si vaj e produktit që ju zgjidhni të përdorni. Mbrojtja kryhet nga faktori SPF që ai produkt përmban.

      13.Vaji i ullirit të ndihmon për t’u nxirë 

      E VËRTETË, POR…

      Vaji i ullirit ka në përbërjen e tij elementë që stimulojnë nxirjen, POR, ai nuk përmban faktorë mbrojtës nga rrezet UV.

      Ndaj ai mund t’ju nxijë lëkurën por përpara se ta nxijë do ta djegë dhe do ta djegë shumë duke shkaktuar dëme në afatshkurtër dhe afatgjatë për lëkurën tuaj. SHMANGENI!!!

      Për ta mbyllur

      Mbrojtja nga dielli është e domosdoshme për të mbajtur lëkurën të shëndetshme dhe larg sëmundjeve.

      Duke ndjekur këto këshilla dhe duke mos besuar mitet, mund të siguroheni që lëkura juaj të jetë e mbrojtur dhe e shëndetshme gjatë gjithë verës dhe jetës suaj.

      Kthehu tek Ditari